
Nga Xhensila Demollaj
Ka qenë një kohë kur emigrantët i shihja me një sy që sot nuk do ta njihja më si timin. Nga Shqipëria, ata më dukeshin si njerëz që kishin bërë një zgjedhje pragmatike: kishin ikur dhe, në shumicën e rasteve, duket se kishin fituar më shumë siguri ekonomike. Në mënyrë të pavetëdijshme, edhe unë i reduktoja në këtë ide. Në biseda të zakonshme flisnim për paratë që dërgonin, për jetën “më të mirë” që supozohej se bënin, për mundësitë që ne i imagjinonim nga larg. Rrallë pyesnim veten se çfarë kishin lënë pas.
Sot e kuptoj se atëherë shihja vetëm sipërfaqen. Dhe sipërfaqja, si gjithmonë, nuk tregon gjithë të vërtetën.
Gjithçka ndryshoi kur u gjenda në anën tjetër të historisë: kur u bëra vetë emigrante. Vetëm atëherë kuptova se emigrimi nuk është një vendim i thjeshtë dhe as një akt guximi momental. Është një proces i gjatë, i lodhshëm dhe shpesh i heshtur. Të lësh vendin tënd nuk do të thotë vetëm të largohesh fizikisht; do të thotë të shkëputesh nga një botë ku gjithçka ishte e njohur, ku gjuha nuk të kërkonte përkthim dhe ku identiteti yt nuk kishte nevojë të shpjegohej.
Kur u zhvendosa në Itali pretendoja ta njihja mirë gjuhën. Kisha bindje se falë Zotit ne shqiptarë jemi adaptues të mirë të gjuhëve të huaja, edhe të italishtes. Mu dëshën disa episode për të kuptuar se edhe kjo përshtatje kërkon kohë. Më kujtohet një nga ditët e para në supermarketin pranë shtëpisë. Radhë e shkurtër, zhurmë karrocash, biseda të copëzuara përreth. Kur erdhi radha ime, arkëtarja më tha diçka shpejt, me atë sigurinë e dikujt që flet gjuhën e vet çdo ditë. E kuptova vetëm gjysmën. U përpoqa të buzëqeshja, si për të fituar kohë, ndërsa në kokë më kalonin të gjitha variantet e mundshme të përgjigjes së saktë.
Thashë diçka. Nuk jam e sigurt çfarë. Ajo më pa për një çast, pastaj e përsëriti pyetjen, pak më ngadalë. E kuptova tani. U përgjigja sërish. Këtë herë saktë, por pa siguri. Pa atë natyrshmërinë që në shqip do të vinte vetvetiu. Në shqip do të kisha bërë një shaka të vogël, diçka të lehtë, që ta kthente situatën në njerëzore. Këtu jo. Shaka nuk bëra dot. Jo sepse nuk desha, por sepse nuk e dija nëse do të kuptohej. Apo, më keq akoma, nëse do të dukej e çuditshme. Dola nga supermarketi me ndjesinë e njohur: atë të të qenit pak jashtë vendit tënd, edhe kur nuk po bën asgjë të jashtëzakonshme.
Kjo pasiguri e vogël, pothuajse e padukshme për të tjerët, është pjesë e përditshmërisë së emigrantit. Nuk është dramatike, por është e vazhdueshme. Është të mendosh dy herë para se të flasësh, të peshosh fjalët, tonin, gjestet. Është të ndjesh se personaliteti yt nuk shfaqet i plotë, sepse gjuha nuk të lejon ende. Sepse humori yt, ironia, mënyra jote e të qenit, mbeten të përkthyera keq ose fare të pathëna.
Në një vend të ri, çdo gjë kërkon përpjekje. Gjuha bëhet pengesë, kultura sfidë, ndërsa vetëbesimi shpesh vihet në provë. Dhe megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për t’u integruar, ka diçka që nuk zbehet kurrë. Malli për vendlindjen. Një ndjesi e vazhdueshme mungese që nuk lidhet domosdoshmërisht me një vend konkret, por me gjithçka që të ka formuar. Kujtimet, njerëzit, rrugët, detajet e vogla që, edhe pse të padukshme, janë rrënjosur thellë brenda nesh. Ato nuk mbeten pas; i marrim me vete kudo që shkojmë.
Të jetosh me këtë dualitet, të ndërtosh një jetë të re duke mos e lënë pas të vjetrën, kërkon guxim. Një guxim që nuk bërtet, që nuk kërkon duartrokitje, por që shfaqet çdo ditë në vendime të vogla dhe sakrifica të mëdha. Është guximi për të vazhduar edhe kur ndihesh i huaj, për të krijuar një ndjenjë përkatësie aty ku fillimisht nuk ekziston.
Për këtë arsye, për mua, emigrantët janë njerëzit më guximtarë. Jo sepse kanë ikur, por sepse kanë zgjedhur të marrin me vete gjithçka që janë dhe ta rindërtojnë veten në një realitet të ri. Ata nuk largohen nga identiteti i tyre; përkundrazi, e mbajnë atë gjallë, edhe kur kjo është e dhimbshme.
Në fund, kjo nuk është vetëm historia ime personale. Është historia e shumë prej nesh. Është historia e shqiptarëve, një popull i vogël në numër, por me një forcë të jashtëzakonshme për t’u përshtatur, për të mbijetuar dhe për të ecur përpara. Një histori e ndërtuar mbi guximin për të mos u ndalur, edhe kur rruga të çon larg shtëpisë.
Discover more from PMN S.P.O.R.T.S - A PRIME MEDIA NETWORK BRAND
Subscribe to get the latest posts sent to your email.





